#Lajme

Ekspertiza psikiatrike: Naim Murseli nuk ka probleme mendore

Në seancën gjyqësore për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ka dëshmuar ish-drejtori i Klinikës së Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri.

Ai ka bërë të ditur se ndaj të akuzuarit, Naim Murseli, është kryer ekzaminim psikiatrik disa javë më parë, ku është konstatuar se nuk vuan nga asnjë çrregullim mendor.

Sipas Haxhibeqirit, gjatë ekzaminimit nuk janë vërejtur shenja të ndonjë problemi as në aspektin afatgjatë – nga fëmijëria deri më tani – e as në periudhën afatshkurtër, që përfshin kohën nga arrestimi e deri te ekzaminimi.

“Ekzaminimi psikiatrik bëhet përmes bisedave, vrojtimit të sjelljes, të folurit dhe elementeve të tjera. Këto janë marrë për bazë edhe në këtë rast. Qëndrimi i Murselit ka qenë koherent me gjendjen dhe situatën në të cilën ndodhej”, ka deklaruar ai.

Haxhibeqiri shtoi se Murseli nuk ka pasur vështirësi gjatë ekzaminimit, përveç disa momenteve të shqetësimeve që lidhen me ngjarjen.