Lipjan: 19-vjeçari kërcënon kushëririn dhe ia dëmton veturën, përfundon në mbajtje
Një 19-vjeçar nga fshati Mirenë i Lipjanit është arrestuar dje pasdite, pasi dyshohet se ka kanosur kushëririn e tij dhe ia ka dëmtuar veturën.
Rasti është raportuar më 21 shtator, rreth orës 17:30, kur viktima, 27-vjeçari B.Z., ka deklaruar se kushëriri i tij, B.Z., e ka fyer, e ka kanosur dhe e ka goditur veturën e tij me shqelm. Ai ka shtuar se mes tyre kanë ekzistuar mosmarrëveshje të mëhershme, për të cilat tashmë ishin hapur procedura në Policinë e Lipjanit.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka lokalizuar të dyshuarin, i cili gjatë intervistimit ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se nuk posedon armë në shtëpi.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosje”.










