#Lajme

Vushtrri: Arrestohet i arratisuri nga Policia që ishte në kërkim prej majit

K .G, 31-vjeçar nga Vushtrria, i cili ishte arratisur nga Policia më 21 maj të këtij viti, është arrestuar sot nga njësitë e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda.

Gerbeshi kishte ikur nga oborri i Stacionit Policor në Vushtrri, në momentin kur po dërgohej drejt qendrës së mbajtjes në Skenderaj. Ai kishte shfrytëzuar një takim me vëllain e tij për t’u larguar në drejtim të panjohur.

Pas disa muajsh në arrati, Policia ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë atë. Sipas burimeve, ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit është dërguar në ndalim policor për 48 orë në Stacionin Policor Mitrovicë-Jugu.

Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Themelore.