#Botë

Sulm kibernetik paralizon disa aeroporte evropiane, shkakton vonesa e anulime fluturimesh

Një sulm kibernetik ka goditur të shtunën një ofrues shërbimesh përgjegjës për sistemet e regjistrimit dhe imbarkimit, duke shkaktuar kaos në disa aeroporte evropiane, përfshirë Brukselin, Londrën dhe Berlinin.

Aeroporti i Brukselit njoftoi se sistemet e automatizuara janë mbyllur dhe po përdoren procedura manuale, gjë që ka sjellë vonesa të mëdha dhe anulime fluturimesh. Deri rreth orës 9:00, raportohej për nëntë fluturime të anuluara dhe rreth 15 të tjera të vonuara mbi një orë.

Autoritetet thanë se po punohet për zgjidhjen e problemit sa më shpejt, ndërsa pasagjerët u këshilluan të konfirmojnë rezervimet me kompanitë ajrore përpara nisjes drejt aeroportit.