#Lajme

Zbulohet i dyshuari për 500 kg marihuanë në Suharekë, policia në ndjekje

Një nga sekuestrimet më të mëdha të këtij viti në Kosovë, rreth 500 kilogramë marihuanë, është zbuluar në Suharekë, ndërsa i dyshuari kryesor për këtë rast është F. N., 46-vjeçar nga fshati Maqitevë. Ai është shpallur në arrati pas operacionit policor që gjeti lëndën narkotike në një objekt që dyshohet të jetë në pronësi të tij.

Gjatë aksionit, përveç drogës së përpunuar dhe asaj në proces tharjeje, autoritetet sekuestruan edhe një granatëhedhës me predhë, një pushkë gjuetie, traktor me rimorkio, pajisje e vegla për kultivim dhe përpunim, si dhe një telefon celular.

Për shkak të rrezikut, njësitet e FSK-së (EOD) kryen shpërthimin e kontrolluar të predhës në një zonë të sigurt. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë dhe policia është në kërkim të F. N., i konsideruar si personi kryesor i përfshirë në këtë rast.