Edita Tahiri: Konstituimi i Kuvendit u bë pa bazë ligjore, Osmani i është afruar Kurtit për vota
Ish-kryenegociatorja për dialogun Kosovë–Serbi, Edita Tahiri, ka kritikuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, duke i quajtur të paligjshme procedurat e konstituimit të Kuvendit. Ajo akuzoi kryeministrin Albin Kurti për manipulim dhe përdorim politik të procesit parlamentar, duke theksuar se ndërhyrja e tij ka ndikuar në këtë situatë.
“Parlamenti nuk është i konstituar sepse nuk ekziston baza ligjore. Por duke luajtur me Listën Serbe dhe duke dalë ky kryeparlamentari i ri me deklarata se është konstituar, është vetëm një përpjekje për të justifikuar diçka që nuk është ligjore,” tha Tahiri në një intervistë për Teve1.
Sipas saj, kjo lëvizje është pjesë e strategjisë nacionaliste të Kurtit në prag të zgjedhjeve lokale. Tahiri u ndal edhe te presidentja Vjosa Osmani, duke theksuar se ajo ka ndryshuar qëndrimet e saj politike dhe tashmë ka hyrë në një aleancë të hapur me Kurtin.
“Meqenëse Osmani është duke iu afruar fundit të mandatit, është afruar me Kurtin dhe i ka kërkuar vota. Edhe ai ia ka premtuar. Tani presidentja është kthyer në një figurë që del hapur pro Kurtit,” u shpreh Tahiri.
Ajo shtoi se afrimi i Osmanit me Kurtin nuk është për interesa shtetërore, por për qëllime personale politike.










