#Lajme

PZAP refuzon ankesat e LVV-së kundër PDK-së dhe Listës Serbe

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka hedhur poshtë dy ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për nxitje të urrejtjes ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Listës Serbe.

LVV kishte kundërshtuar një deklaratë të kandidatit të PDK-së për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili në një emision televiziv tha se “ata që nuk e respektojnë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës duhet t’i ngrehim zvarrë nëpër rrugët e Prishtinës”. Megjithatë, PZAP vlerësoi se kjo deklaratë nuk i është drejtuar ndonjë personi apo subjekti politik të caktuar, prandaj nuk përbën shkelje të rregullave zgjedhore.

Po ashtu, LVV kishte dorëzuar ankesë edhe për Listën Serbe, duke pretenduar se parulla “Svi za brata Milana” e ekspozuar në fushatë në Mitrovicën e Veriut i referohej Milan Radoiçiqit, të kërkuar nga autoritetet kosovare për organizimin e sulmit në Banjskë më 2023. Por PZAP theksoi se nuk ka prova të qarta që parulla lidhet me Radoiçiqin, duke sqaruar se emri “Milan” i referohet kandidatit për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq.