James Rubin vazhdon dëshminë në Gjykatën Speciale: Kritika për OKB-në dhe paraburgimin e gjatë të ish-krerëve të UÇK-së
Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ka vijuar edhe sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë. Ai kujtoi qëndrimin fillestar të SHBA-së ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1999, duke theksuar se UÇK-ja u perceptua fillimisht si një organizatë me aktivitete terroriste, por qëndrimi ndryshoi pas pranimit të Marrëveshjes së Rambujesë.
Rubin deklaroi se shpesh raportet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara nuk pasqyronin saktë realitetin në Kosovë. I pyetur për një raport të vitit 1998 ku flitej për rrëmbime të kryera nga pjesëtarë të UÇK-së, ai tha se kishte qenë skeptik ndaj saktësisë së tij.
Në lidhje me një artikull të The New York Times të vitit 1999 që përmendte vrasje brenda radhëve të UÇK-së, Rubin tha se nuk e mbante mend, por shprehu dyshime për autorin e shkrimit, Chris Hedges.
Ish-diplomati amerikan kritikoi gjithashtu Gjykatën Speciale për mbajtjen pesëvjeçare në paraburgim të të akuzuarve, ndonëse ata, sipas tij, ishin dorëzuar vullnetarisht dhe kishin bashkëpunuar me prokurorinë.
Rubin dëshmoi gjithashtu se UÇK-ja nuk kishte kontroll dhe komandë efektive të centralizuar, ndërsa SHBA-ja e shihte Hashim Thaçin si liderin e zgjedhur nga vetë shqiptarët. Ai përmendi një bisedë telefonike mes Thaçit dhe presidentit amerikan Bill Clinton në qershor 1999, ku Thaçi ishte zotuar se do të respektonte pakicat pavarësisht dhunës së përjetuar nga populli i tij.
Sipas Rubinit, ishte “e qartë” se Thaçi kishte eprorë nga të cilët duhej të merrte miratimin për vendime të rëndësishme.










