Osmani priti ambasadorin gjerman Rohde, falënderime për kontributin gjatë mandatit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Gjermanisë, Jörn Rohde, duke e falënderuar për angazhimin dhe kontributin e tij gjatë mandatit si përfaqësues diplomatik i Berlinit në Kosovë.
Osmani ritheksoi se Gjermania mbetet partner strategjik i rëndësishëm i Kosovës dhe theksoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve ekonomike, ku një rol të veçantë ka luajtur mërgata kosovare në Gjermani përmes investimeve dhe angazhimit të tyre.
Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për rrugën euroatlantike të Kosovës dhe për projektet zhvillimore në sektorë të ndryshëm. Ajo i uroi ambasadorit Rohde suksese në angazhimet e ardhshme.











