#Lajme

Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin e vrasjes së rëndë në Balaj të Ferizajt

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj B.R., i dyshuar për veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas Prokurorisë, më 15 shtator 2025, rreth orës 19:42, në fshatin Balaj të Ferizajt, pas një konflikti të mëhershëm pronësor dhe një fjalosjeje verbale, i dyshuari dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri katër herë drejt kushëririt të tij, I.R., duke e goditur në pjesët e sipërme të trupit. Viktima ndërroi jetë rrugës për në Qendrën Emergjente të Ferizajt si pasojë e plagëve të marra.

I pandehuri është ndaluar që nga data 15 shtator me vendim të Prokurorit të Shtetit dhe ndodhet nën masën 48-orëshe të ndalimit, ndërsa Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e masës me paraburgim.