Rubin: Akuzat ndaj Thaçit dhe të tjerëve janë absurde, Specialja po vepron gabim
James Rubin, ish-zyrtari i lartë amerikan, ka vazhduar ditën e dytë të dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku është përballur me pyetjet e prokurorisë dhe me deklaratat e mëhershme të tij lidhur me procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe ish-krerëve të UÇK-së.
Prokurori James Pace i rikujtoi Rubin një deklaratë të bërë në korrik, kur ai e kishte quajtur Prokurorinë “turp”. Rubin pranoi se mund të ketë përdorur një gjuhë të pamatur për shkak të kontekstit televiziv, por theksoi se qëndrimi i tij mbetet kritik.
Ai po ashtu e pranoi se kishte thënë se akuzat ndaj Thaçit janë “krejt absurde” dhe e cilësoi të padrejtë faktin që ish-presidenti mbahet ende në paraburgim. Rubin theksoi se ushtria serbe ka kryer shumicën dërrmuese të masakrave në Kosovë dhe se barazimi i krimeve të Serbisë me ato të shqiptarëve të Kosovës është i papranueshëm.
Duke iu referuar një artikulli të “The New York Times” të vitit 1999, ku flitej për vrasje brenda radhëve të UÇK-së, Rubin tha se nuk e mban mend shkrimin dhe vuri në dyshim besueshmërinë e autorit Chris Hedges, të cilin e akuzoi për shpifje të vazhdueshme.
Pas pyetjeve të prokurorisë dhe mbrojtjes, Rubin po përgjigjet edhe para trupit gjykues.











