#Sport

Rikthehen emocionet e Ligës së Kampionëve: Nis edicioni 2025/26

Sonte starton sezoni i ri i Ligës së Kampionëve, me xhiron e parë që do të zhvillohet përgjatë tre ditëve, nga e marta deri të enjten, ku çdo ditë janë paraparë nga gjashtë ndeshje.

Në formatin e ri marrin pjesë 36 klube, secili duke u përballur me tetë kundërshtarë të ndryshëm në një ligë të vetme. Tetë skuadrat e para do të sigurojnë direkt kalimin në fazën e 1/8-tës, ndërsa ekipet që renditen nga vendi i 9-të deri në të 24-tin do të përballen në ‘play-off’, për të plotësuar 16-shen e fazës eliminatore.

Përballjet kryesore të mbrëmjes së sotme janë Real Madrid–Marseille, Juventus–Dortmund dhe Athletic Bilbao–Arsenal. Të mërkurën priten sfida të forta si Ajax–Inter, Bayern Munich–Chelsea, Liverpool–Atletico Madrid dhe PSG–Atalanta, ndërsa të enjten vëmendjen e marrin takimet Manchester City–Napoli dhe Newcastle–Barcelona.

Buxheti i edicionit të ri kap shifrën prej 2.5 miliardë eurosh. Vetëm në fillim, secili klub pjesëmarrës ka përfituar 18.6 milionë euro, duke arritur një total prej 670 milionë eurosh ose 27.5 për qind të buxhetit të përgjithshëm.