#Lajme

Arrestohen tre persona për falsifikim dokumentesh në një autoshkollë

Prokuroria Themelore, Departamenti për Krime të Rënda – Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka njoftuar se sot janë ndaluar për 48 orë tre persona nën dyshimin për falsifikim dokumentesh lidhur me një autoshkollë.

Të arrestuarit janë me inicialet A.F. dhe G.M. nga Autoshkolla “STOP”, si dhe M.TH. nga Kryqi i Kuq i Kosovës, dega në Fushë Kosovë. Ndërkohë, e dyshuara tjetër, A.A. nga i njëjti institucion, është liruar në procedurë të rregullt.

Ky aksion u realizua në bashkëpunim me hetuesit e Sektorit për Hetimin e Korrupsionit në DHKEK dhe paraqet vazhdimësi të një rasti më të hershëm, ku ishin arrestuar një instruktor i autoshkollës dhe një ekzaminer i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Sipas Prokurorisë, personat e dyshuar akuzohen për veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”, sipas nenit 427 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.