OSBE shpreh shqetësim për mbylljen e shërbimeve të sistemit të Serbisë në veri
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar me shqetësim ndaj mbylljes së zyrave të shërbimeve që funksiononin sipas sistemit të Serbisë në Mitrovicën e Veriut, duke theksuar ndikimin e rëndë që kjo masë ka për komunitetet jo-shumicë.
Në një deklaratë zyrtare, OSBE tha se ndërprerja e këtyre shërbimeve prek më së shumti të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet me të ardhura të ulëta, të cilat varen nga to për shëndetësi, pagesa pensionale, mbështetje sociale dhe materiale shkollore.
Organizata theksoi se çdo vendim që prek shërbimet publike duhet të garantojë qasje të pandërprerë për të gjitha komunitetet dhe të adresohet përmes Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me konsultime domethënëse lokale. OSBE shtoi se do të vazhdojë monitorimin e situatës në kuadër të mandatit të saj për paralajmërim të hershëm dhe mbështetje të komuniteteve gjithëpërfshirëse.
Ndërkohë, Komuna e Mitrovicës së Veriut ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se ka pezulluar punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe atij për Sigurim Invalidor e Pensional, pas kontrolleve të zhvilluara më 12 shtator me asistencën e Policisë së Kosovës.
Sipas komunës, gjatë kontrolleve u konstatua se personat që operonin në këto zyra nuk kishin dokumentacion të vlefshëm për ushtrimin e veprimtarisë, prandaj puna u pezullua përkohësisht, ndërsa procedurat e mëtejshme do të zhvillohen në përputhje me ligjet në fuqi.











