Limaj pas pezullimit të dialogut strategjik: Kosova nuk ka luks ta humbasë Amerikën
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë si një nga goditjet më të rënda për vendin në 25 vitet e fundit.
Ai ka theksuar rëndësinë jetike të marrëdhënieve me SHBA-në, duke paralajmëruar se çdo veprim që i dëmton këto raporte bie ndesh me interesin kombëtar.
“Kosova nuk e ka luksin të humbasë Amerikën. Aleanca me SHBA-në është themeli i sigurisë, zhvillimit dhe të ardhmes sonë”, ka deklaruar Limaj.
Sipas tij, situata aktuale kërkon reflektim dhe veprime urgjente nga institucionet për rikthimin e besimit dhe forcimin e partneritetit me SHBA-në, duke e konsideruar këtë detyrim ndaj qytetarëve dhe sakrificës së brezit që solli lirinë dhe shtetin.










