#Lajme

Abdixhiku: Suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të është pika më e ulët e raporteve me Kosovën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, duke e cilësuar këtë si momentin më të rëndë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në një postim publik, Abdixhiku tha se suspendimi i dialogut paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin strategjik dhe ekzistencial të saj. Ai akuzoi qeverinë aktuale se ka ndërtuar rrugëtimin e saj mbi krizë të përhershme, shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve, duke e cilësuar si shkatërruese për shtetin.

“Është koha të bashkohemi të gjithë; t’i japim fund kësaj çmendurie politike dhe të ndërtojmë shtetin që e kemi merituar gjithmonë – para se të bëhet vonë për të gjithë”, theksoi ai.

Kreu i LDK-së premtoi se partia e tij do të mbetet e përkushtuar ndaj rrugës euroatlantike, do të garantojë miqësinë e përhershme me SHBA-në dhe do të rikthejë Kosovën, siç tha ai, në binarët e arsyes, ligjit dhe demokracisë.