Nisin gërmimet për varrezë masive pranë Novi Pazarit
Pas përfundimit të inspektimeve në fshatin Kozhle, afër Novi Pazarit, sot kanë nisur gërmimet në një lokacion ku dyshohet për praninë e një varreze masive nga lufta e fundit në Kosovë.
Mjeku i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Valon Hyseni, ka bërë të ditur për Klan Kosova se vendi në fjalë ka shërbyer si deponi mbeturinash për mbi 26 vjet, por pas pastrimit janë krijuar dyshime të forta për varrezë masive.
Ai ka theksuar se gërmimet do të zhvillohen çdo ditë, pa ndërprerje, deri në përfundimin e kontrollit të plotë të zonës.
“Besojmë se çdo informacion që lidhet me të pagjeturit mund të çojë në gjetjen e mbetjeve mortore. Ekipet mjeko-ligjore dhe Instituti do të jenë çdo ditë në terren deri të spastrohet mirë ajo zonë”, ka deklaruar Hyseni.











