Presidentja Osmani reagon ndaj tentativës për fotografimin e vajzave: “Po rrezikohet jeta e fëmijëve të mi të mitur”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas raportimeve për incidentin e ndodhur sot, ku një ekip mediatik u ndalua nga njësia e saj e sigurisë gjatë tentativës për të incizuar vajzat e saj në shkollë.
Osmani ka deklaruar se kjo përndjekje e vazhdueshme ndaj fëmijëve të saj është e kundërligjshme dhe e rrezikshme, duke theksuar se vajzat e saj, tash e pesë vite, kanë vijuar mësimet në shkollën publike “Ismail Qemali” në Prishtinë.
Sipas saj, gjatë kësaj kohe mediat nuk kanë raportuar për faktin që fëmijët e saj ndjekin shkollimin në një institucion publik mes vështirësive infrastrukturore, por kanë publikuar lokacionet dhe pamje të paautorizuara të tyre, duke rrezikuar sigurinë e vajzave të mitura.
“Incizimet e paautorizuara të fëmijëve jo vetëm që bien ndesh me ligjin, por rrezikojnë seriozisht sigurinë e tyre fizike e psikologjike”, ka thënë Presidentja, duke shtuar se do të ndërmarrë të gjitha masat ligjore për mbrojtjen e tyre.
Ajo ka rikujtuar se prania e policisë pranë vajzave të saj është e përcaktuar me ligj, pasi ato kategorizohen në nivel të lartë rrezikshmërie. Në fund, Osmani ka theksuar se fëmijët e mitur nuk duhet të trajtohen si subjekt i interesit publik politik dhe ka bërë thirrje që të respektohet privatësia dhe siguria e tyre.











