Arrestohet kameramani Jetmir Muji, AGK-ja kërkon lirimin e menjëhershëm
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas arrestimit të kameramanit të portalit Paparaci, Jetmir Muji, i cili ndodhet në stacionin policor Qendër në Prishtinë.
Sipas njoftimit, Muji është ndaluar nga njësia e mbrojtjes së afërt të Presidentes Vjosa Osmani, teksa po xhironte një storie rreth shkollimit të vajzave të saj. Atij i është konfiskuar kamera dhe i është kërkuar të fshijë materialet e incizuara.
AGK e ka cilësuar këtë veprim si arrestim të paligjshëm, arbitrar dhe abuzim nga ana e Policisë së Kosovës, duke theksuar se përbën një sulm të papranueshëm ndaj lirisë së medias dhe të drejtës së qytetarëve për informim.
Shoqata ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të kameramanit.











