Prishtinë: Dy të rinj arrestohen në flagrancë gjatë shitblerjes së drogës, sekuestrohet marihuanë
Policia e Kosovës ka ndërprerë një rast të shitblerjes së narkotikëve në Prishtinë, duke arrestuar dy persona të rinj. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 18:50, në rrugën “19 Qershori”, ku gjatë patrullimit policia ka vërejtur një shkëmbim të dyshimtë mes dy të rinjve – njëri në këmbë dhe tjetri me motoçikletë.
Gjatë ndërhyrjes është ndaluar blerësi, tek i cili u gjetën 20 gramë marihuanë, ndërsa më pas u arrestua edhe i dyshuari tjetër si shitës i drogës. Të arrestuarit janë të moshës rreth 21 dhe 22 vjeç.
Pas intervistimit, njëri prej tyre e pranoi veprën. Me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda, ai është ndaluar për 48 orë dhe është kryer kontroll në shtëpinë e tij.
Për rastin është njoftuar njësia rajonale antidrogë, e cila do të vazhdojë hetimet.











