#Lajme

MPJD apel qytetarëve: Shmangni udhëtimet nëpërmjet Serbisë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet përmes territorit të Serbisë, duke e cilësuar këtë masë të nevojshme për sigurinë e tyre.

Apeli vjen pas arrestimit të qytetarit Hazir (Arif) Haziri nga autoritetet serbe më 8 shtator, në pikën kufitare në Merdar, gjatë hyrjes me automjet privat.

Në njoftimin zyrtar, MPJD kërkon reagim urgjent nga Bashkësia Ndërkombëtare ndaj praktikave represive të Serbisë, të cilat, sipas saj, bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe konventat për të drejtat e njeriut.

Ministria paralajmëron se rritja e rasteve të ndalimeve dhe maltretimeve të qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe përbën shkelje të frymës së dialogut dhe marrëveshjeve të arritura mes dy palëve.