#Lajme

Aksion në Prishtinë: 10 persona të ndaluar, sekuestrime droge dhe armësh

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar 10 persona gjatë një aksioni të zhvilluar në fshatin Rimanisht të Komunës së Prishtinës.

Të dyshuarit, mes tyre edhe shtetas të Shqipërisë, akuzohen për “prodhim dhe përpunim të paautorizuar të narkotikëve” dhe “posedim të paautorizuar të armëve”. Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar substanca psikotrope, armë zjarri dhe prova të tjera materiale që do të përdoren në hetime.

Sipas njoftimit, të dyshuarit janë dërguar në ndalim, ndërsa Prokuroria do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit.

Institucioni theksoi se mbetet i përkushtuar në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale.