#Lajme

Serbia arreston 77-vjeçarin në Merdare, dyshohet për krime lufte në Podujevë

Autoritetet serbe kanë arrestuar një person në pikëkalimin kufitar në Merdare, nën akuzën për “krime lufte” gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Ministria e Brendshme e Serbisë bëri të ditur se i arrestuari, i identifikuar me inicialet H.H., 77 vjeç, dyshohet se në qershor të vitit 1999 në Podujevë, në bashkëpunim me pjesëtarë të UÇK-së, ka vrarë një civil serb me armë zjarri. Ai është dërguar në mbajtje 48-orëshe dhe ndaj tij pritet të ngrihet aktakuzë.

Arrestimi vjen pas një serie ndalimesh të ngjashme nga autoritetet serbe në muajt e fundit, që kanë përfshirë ish-pjesëtarë të dyshuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autoritetet e Kosovës i kanë cilësuar këto arrestime si arbitrare, duke kërkuar lirimin e tyre.

UÇK-ja ka qenë forcë politiko-ushtarake që ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb gjatë viteve 1990-1999.