Kosova shkëlqen ndaj Suedisë, siguron fitoren e parë në kualifikime
Kombëtarja e Kosovës ka regjistruar një fitore historike në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, duke mposhtur Suedinë me rezultat 2-0 në stadiumin e saj.
Që nga minuta e parë, “Dardanët” treguan karakter dhe disiplinë, duke rezistuar në mbrojtje dhe duke rrezikuar vazhdimisht në sulm. Epërsia erdhi herët, në minutën e 13-të, kur Elvis Rexhbecaj shënoi për 1-0 pas një depërtimi të shkëlqyer.
Në minutën e 40-të, Kosova e dyfishoi rezultatin me një supergol të Vedat Muriqit, i cili finalizoi pas një kombinimi fantastik me Albion Rrahmanin.
Pjesa e dytë solli një Kosovë të disiplinuar dhe të vendosur për ta ruajtur avantazhin, ndërsa Florent Muslija rrezikoi me një aksion individual që përfundoi pranë shtyllës. Nga ana tjetër, suedezët patën vetëm një rast të pastër shënimi me Alexander Isak në minutën e 84-të, por u ndal nga portieri Arijanet Muriç.
Pavarësisht se e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak pas përjashtimit të Lindon Emërllahut, Kosova arriti ta mbajë rezultatin deri në fund, duke marrë tri pikët e para në këtë cikël kualifikues dhe duke u rikthyer pas humbjes ndaj Zvicrës.
👉 Një fitore që rikthen besimin dhe forcon ambiciet e “Dardanëve” në rrugën drejt Botërorit 2026.











