Prishtinë: Grua denoncon bashkëshortin për dhunë, arrestohet 31-vjeçari
Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar dje në Prishtinë. Një grua ka denoncuar bashkëshortin e saj, Sh. Morina, 31 vjeç, për ushtrim dhune fizike dhe psikologjike.
Ngjarja ka ndodhur më 7 shtator, rreth orës 12:30, në rrugën “Sylejman Vuciterna”, ku viktima ka deklaruar në Polici se ishte sulmuar nga bashkëshorti. Ajo ka thënë se i dyshuari e kapi për fyti, e goditi me grushte në fytyrë dhe e përplasi për dollap, duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka marrë menjëherë trajtim mjekësor.
Në dëshminë e saj, gruaja theksoi se nuk është hera e parë që përjeton dhunë fizike, psikologjike dhe ekonomike nga bashkëshorti.
Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili është intervistuar në prani të avokatit. Me urdhër të Prokurorit të Departamentit për Dhunë në Familje, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë. Rasti po hetohet.











