Arme dhe municion të djegur gjenden në një fushë në Vushtrri
Një ngjarje shqetësuese është regjistruar sot paradite në fshatin Ropicë të Vushtrrisë, ku pas një shpërthimi dhe zjarri janë zbuluar armë, municion dhe pajisje policore të djegura.
Policia është njoftuar rreth orës 10:10 nga një qytetar, i cili raportoi një detonim në zonë. Pas daljes në vendngjarje, patrulla policore dhe zjarrfikësit lokalizuan zjarrin dhe gjatë kontrollit zbuluan një gropë me pjesë armësh, karikatorë, municion, kallëfa dhe një shufër metalike me mbishkrimin “Police”.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse, përfshirë Hetimet Rajonale, njësinë e deminimit dhe K-9 për hetime të mëtejshme. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim i paautorizuar i armës dhe municionit”.










