FFK konfirmon mungesën e Amir Rrahmanit ndaj Suedisë
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar sot se kapiteni Amir Rrahmani nuk do të jetë në dispozicion për ndeshjen e së hënës kundër Suedisë, që zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Rrahmani pësoi lëndim në ndeshjen ndaj Zvicrës, e cila përfundoi me humbjen 4-0, duke u detyruar të largohej para kohe nga fusha. Pas ekzaminimeve mjekësore është konfirmuar se ai nuk mund të paraqitet në takimin e radhës.
Kapiteni është liruar nga grumbullimi dhe pritet të kthehet në Itali për të vazhduar rikuperimin me klubin e tij, me synim që të rikthehet i gatshëm për ndeshjet e muajit tetor të Kosovës kundër Sllovenisë dhe Suedisë.











