Dy fëmijë të mitur denoncojnë gjyshërit për dhunë në Istog, nëna refuzon t’i marrë – dërgohen në strehim
Një rast i dhunës në familje është raportuar mbrëmë në fshatin Dragolec të Istogut, ku dy fëmijë të mitur kanë deklaruar se janë dhunuar nga gjyshërit e tyre, të moshës rreth 72 dhe 73 vjeç. Rasti është denoncuar nga nëna e tyre, e cila prej kohësh ishte larguar nga shtëpia e bashkëshortit për shkak të mosmarrëveshjeve, ndërsa burri i saj ndodhet jashtë vendit. Për këtë arsye, fëmijët kishin mbetur nën kujdesin e gjyshërve.
Të miturit kanë njoftuar nënën se ishin rrahur dhe se nuk dëshironin të jetonin më me ta. Pas kontrollit në QKMF Istog, mjeku ka konstatuar se nuk kishin shenja lëndimesh trupore. Me praninë e përfaqësueses së Qendrës për Punë Sociale, fëmijët janë dërguar në një familje të specializuar për strehimin e të miturve, pasi nëna ka refuzuar të kujdeset për ta.
Ndërkohë, gjyshërit e dyshuar janë shoqëruar në Polici dhe pas intervistimit, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, rasti është iniciuar si “dhunë në familje”.










