#Lajme

Annalena Baerbock në krye të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Ish-ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka marrë detyrën si Presidente e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, pasi u zgjodh me 167 vota nga 193 shtete anëtare. Votimi u kërkua nga Rusia, për shkak të qëndrimeve të saj të ashpra kundër agresionit rus në Ukrainë.

Mandati i saj njëvjeçar do të përfshijë përgatitjet për zgjedhjen e Sekretarit të ri të Përgjithshëm të OKB-së në vitin 2026. Emërimi i Baerbock ka nxitur debate në Gjermani, ku disa politikanë preferonin diplomaten Helga Schmid.

Baerbock ka premtuar të jetë “forcë bashkuese” mes 193 shteteve, ndërsa mandati i saj vjen pas një periudhe kur si ministre e Jashtme ishte e njohur për qëndrime të forta ndaj Rusisë, Kinës dhe krizave në Lindjen e Mesme.