#Botë

Mbyllet papritur fabrika e armëve izraelite në Britani pas protestave të vazhdueshme për Palestinën

Një nga objektet e kompanisë Elbit Systems UK në Bristol është mbyllur papritur, pas viteve të protestave të organizuara nga grupi Palestine Action, tashmë i shpallur organizatë e ndaluar sipas Ligjit për Terrorizmin.

Fabrika, e vendosur në Aztec West Business Park dhe e marrë me qira nga Elbit në vitin 2019 me kontratë deri më 2029, ka qenë shpesh cak i bllokadave, pushtimeve të çative dhe aksioneve të tjera direkte. Gazetarët e The Guardian raportuan se objekti tashmë është bosh, përveç një roje sigurie, ndërsa rreth tij janë vendosur barriera mbrojtëse.

Elbit Systems UK regjistroi vitin e kaluar një humbje prej 4.7 milionë £, krahasuar me fitimin prej 3.8 milionë £ në vitin 2023, ndërsa ekspertët e lidhin këtë me kostot e sigurisë dhe presionin e vazhdueshëm të aktivistëve. Kjo nuk është hera e parë që kompania tërhiqet nga Britania, pasi më herët ka shitur objekte edhe në West Midlands dhe Oldham.

Elbit, me të ardhura vjetore prej 6.8 miliardë dollarësh dhe prodhuesi kryesor i dronëve të ushtrisë izraelite, mbetet një nga shtyllat e industrisë ushtarake të Izraelit. Eksperti i tregtisë së armëve, Andrew Feinstein, e ka cilësuar mbylljen si “jashtëzakonisht të rëndësishme”.

Ndërkohë, kompania vazhdon të garojë për një kontratë prej 2 miliardë £ me Ministrinë britanike të Mbrojtjes, përkundër thirrjeve nga ish-ministri laburist Peter Hain që marrëveshja të mos nënshkruhet, duke përmendur shkatërrimet në Gaza.

Palestine Action, nga ana tjetër, ka fituar të drejtën për një gjykim në nëntor për të sfiduar shpalljen si organizatë e ndaluar, ndërsa Ministria e Brendshme pritet të apelojë këtë vendim më 25 shtator.

Mbyllja e fabrikës në Bristol shihet si një moment i rëndësishëm në përballjen mes Elbit Systems dhe lëvizjes aktiviste në Britani.