#Lajme

26 vjet nga themelimi i Policisë së Kosovës, organizohen aktivitete festive

Policia e Kosovës ka nisur sot shënimin e 26-vjetorit të themelimit me një sërë aktivitetesh të ndryshme, të cilat do të vazhdojnë deri më 6 shtator, kur do të mbahet ceremonia qendrore.

Në kuadër të festimeve, Divizioni i Policimit në Bashkësi ka zhvilluar aktivitete me fëmijë dhe të rinj në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ku morën pjesë edhe njësitë speciale të PK-së. Po ashtu, nëpër Drejtoritë Rajonale dhe stacionet policore u organizua “Porta e hapur” për qytetarët.

Në agjendë është përfshirë edhe një ndeshje volejbolli mes Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit, që zhvillohet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Ceremonia qendrore e 26-vjetorit do të mbahet më 6 shtator 2025, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta shtetërore, drejtuesve të PK-së, si dhe përfaqësuesve vendorë e ndërkombëtarë.

Policia e Kosovës, e themeluar më 6 shtator 1999, sot mbetet një nga institucionet më të rëndësishme të vendit, përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.