Kërkohet paraburgim për policin e arrestuar në Vushtrri
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pjesëtarit të Njësisë Speciale Operative, M.L., i dyshuar për disa vepra penale.
Sipas Prokurorisë, ndaj tij rëndojnë akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, zbulim të fshehtësisë zyrtare, si dhe mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.
Hetimet tregojnë se më 2 shtator 2025, në fshatin Ropicë të Vushtrrisë, M.L. dyshohet se, duke shfrytëzuar pozitën e tij si zyrtar policor, ka ndërhyrë në një rast me qëllim përfitimi pasuror. Po ashtu, më 18 qershor 2025, ai dyshohet se ka informuar një person tjetër për mundësinë e hetimeve policore ndaj tij, duke shkelur fshehtësinë zyrtare.
Prokuroria bën të ditur se në shtëpinë e tij në Vushtrri janë gjetur fishekë, ndërsa në një lokal nate ai është parë duke përdorur armën zyrtare duke shtënë disa herë, pamje këto të publikuara në rrjetet sociale.
Gjatë bastisjes së fundit në shtëpinë dhe veturën e tij, autoritetet sekuestruan dy telefona dhe fishekë. Rasti po hetohet nga organet kompetente, ndërsa pritet vendimi i gjykatës për kërkesën e paraburgimit.











