#Sport

FIFA gjobit FShF-në me 185 mijë euro dhe urdhëron uljen e kapacitetit të stadiumit

FIFA ka gjobitur Federatën Shqiptare të Futbollit (FShF) me 200 mijë dollarë, përkatësisht 185 mijë euro, për shkak të sjelljes së papërshtatshme të tifozëve në ndeshjen Shqipëri – Serbi, të zhvilluar më 7 qershor në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Ndeshja, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, përfundoi pa gola, ndërsa kuqezinjtë humbën një rast të artë me penalltinë e shpërdoruar nga Rey Manaj në pjesën e dytë.

Sipas vendimit të FIFA-s, dënimi erdhi pas ndërprerjes së himnit kombëtar të Serbisë dhe shfaqjes së mesazheve të papërshtatshme nga tifozët, veprime të cilat konsiderohen të papranueshme për një ngjarje sportive.

Përveç gjobës, organi drejtues i futbollit botëror ka urdhëruar që stadiumi “Air Albania”, ose çdo arenë tjetër ku Shqipëria do të luajë si vendase, të ketë një reduktim prej 20 për qind të kapacitetit në ndeshjen e radhës. Kjo masë do të zbatohet më 9 shtator, kur kuqezinjtë do të përballen me Letoninë në Tiranë.

Ky vendim bën pjesë në një sërë masash disiplinore që FIFA ka marrë ndaj disa kombëtareve pas ndeshjeve të muajit qershor.