Auditori dërgon 69 raste me parregullsi në Prokurori
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka njoftuar se ka dërguar në Prokurorinë e Shtetit gjithsej 69 raste të evidentuara në 103 raporte të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë për sezonin 2024/2025.
Zëvendësauditori i Përgjithshëm, Bezad Halilaj, bëri të ditur se këto raste lidhen kryesisht me dyshime për shkelje në prokurimin publik, subvencione e transfere, investime kapitale, si dhe paga e mëditje. Sipas tij, 37 raste janë evidentuar në prokurimin publik, 19 në subvencione dhe transfere, 8 në investime kapitale, 4 në paga dhe mëditje, ndërsa 1 rast në të hyrat.
Nga aspekti institucional, 47 raste kanë dalë nga komunat, 12 nga ministritë, 7 nga ndërmarrjet publike dhe 3 nga institucione të tjera. Halilaj tha se ZKA ka marrë konfirmim nga Prokuroria se të gjitha këto raste tashmë janë shpërndarë tek prokuroritë përkatëse për veprime të mëtejshme ligjore.
Ai shtoi se në vijim, pas publikimit të raporteve të reja të pajtueshmërisë dhe të performancës, rastet e tjera që do të identifikohen do t’i përcillen gjithashtu Prokurorit të Shtetit. Halilaj theksoi se auditimet kanë nxjerrë në pah edhe probleme serioze në mbrojtjen e pasurive natyrore dhe menaxhimin e energjisë së ripërtëritshme.











