#Lajme

MINT intensifikon inspektimet për çmimet e teksteve shkollore dhe mbrojtjen e të drejtave të autorit

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ka njoftuar se nga 1 shtatori ka shtuar inspektimet në të gjithë territorin e Kosovës me qëllim mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe monitorimin e çmimeve të teksteve shkollore.

Në njoftim thuhet se deri më tani janë kontrolluar mbi 30 operatorë ekonomikë dhe në rastet kur janë konstatuar shkelje, janë ndërmarrë masa ndëshkuese sipas ligjit.

Inspektorati thekson se kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke përfshirë shtëpitë botuese dhe shpërndarësit, për të siguruar që tekstet shkollore të qarkullojnë në treg në përputhje me ligjin dhe me çmime të arsyeshme për konsumatorët.

Gjithashtu, qytetarët ftohen të raportojnë rastet e shkeljeve përmes numrit pa pagesë 0800 11000 ose në adresën elektronike konsumatori@rks-gov.net.