Dështon seanca gjyqësore për rastin e gazit lotsjellës në Kuvend ndaj Haxhiut, Kadaj e Lekajt
Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj Albulena Haxhiut, Donika Kadaj dhe Pal Lekajt, të akuzuar për futjen e bombolave me gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës në vitin 2016.
Sipas aktakuzës, ish-deputetët përballen me veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Në maj të vitit 2021, Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur të pafajshëm për mungesë provash, por një vit më vonë, në tetor 2022, Gjykata e Apelit rrëzoi këtë vendim dhe urdhëroi rigjykim të plotë.
Rasti kishte ngjallur reagime të mëdha politike dhe publike, pasi përdorimi i gazit lotsjellës në Kuvend u bë si formë proteste kundër marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe dialogut me Serbinë.
Seanca e radhës pritet të zhvillohet në prani të të akuzuarve dhe mbrojtjes së tyre ligjore.











