Të shtëna me armë pranë “Viva Fresh” në Prishtinë, policia konfiskon gëzhojat dhe kërkon autorët
Më 1 shtator 2025, rreth orës 22:00, në rrugën “Epiri” të Prishtinës, pranë rrethrrotullimit tek “Farmedi” dhe afër marketit “Viva Fresh”, janë raportuar të shtëna me armë zjarri.
Policia ka njoftuar se menjëherë pas raportimit ka dalë në vendngjarje, ka siguruar perimetrin dhe ka gjetur dy gëzhoja, të cilat u sekuestruan nga njësia e forenzikës për ekzaminim.
Nga dëshmitë e mbledhura, shumica e qytetarëve në zonë kanë deklaruar se nuk kanë vërejtur asgjë të dyshimtë. Megjithatë, një dëshmitar ka treguar se ka parë një Audi të zi dhe një veturë ngjyrë hiri me targa që fillonin me “CP”. Pas një bisede të shkurtër mes personave në këto automjete, sipas tij, janë dëgjuar dy të shtëna arme, ndërsa më pas veturat janë larguar me shpejtësi.
Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, rasti është cilësuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe është proceduar për hetime të mëtejshme nga njësitë përkatëse.










