#Lajme

Bizneset paralajmërojnë valë të re shtrenjtimesh pas daljes në tregun e lirë të energjisë

Rritja e çmimeve të energjisë elektrike ka filluar të reflektohet në ekonomi, duke ndikuar në rritjen e kostos së ndërtimit dhe të prodhimit gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025. Sipas Agjencisë së Statistikave, energjia ka shënuar rritje prej 26.9% krahasuar me periudhën prill-qershor 2024, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë të këtij viti rritja është 5.5%.

Edhe çmimet e prodhimit janë rritur me 11.3% krahasuar me vitin e kaluar dhe me 4.1% në krahasim me tremujorin e parë.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, paralajmëroi se dalja e bizneseve të mëdha në tregun e lirë të energjisë do të shkaktojë rritje të mëtejshme të çmimeve në muajt e ardhshëm, duke e bërë koston e jetesës edhe më të vështirë për qytetarët.

Përfaqësues të bizneseve raportojnë se faturat e rrymës në tregun e lirë janë trefish më të larta, duke arritur deri në 200 euro për megavat gjatë korrikut.

Oda Ekonomike e Kosovës ka ushtruar padi ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ndërsa Gjykata Supreme ka njoftuar se do ta shqyrtojë këtë rast, por nuk ka pranuar masën e përkohshme për pezullim.

Ndërkohë, edhe Partia Demokratike e Kosovës i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të vlerësuar ligjshmërinë e vendimeve të ZRRE-së, të cilat detyruan bizneset me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro të dalin në tregun e lirë që nga 1 qershori.