Zgjedhjet lokale, mbi 46 mijë shtetas nga diaspora të regjistruar për votim me postë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se 46,015 shtetas të Kosovës nga 46 shtete të ndryshme janë regjistruar për të votuar me postë në zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe kuvende komunale.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë për KosovaPress se në total janë pranuar 56,778 aplikime, prej të cilave mbi 10 mijë janë refuzuar, kryesisht për shkak të mungesës së dokumenteve që dëshmojnë adresën jashtë Kosovës. Ai ka theksuar se çdo aplikues i refuzuar është njoftuar për arsyet dhe ka pasur mundësi ri-aplikimi.
Sipas të dhënave, komunat me më së shumti votues të regjistruar nga diaspora janë Suhareka (3,458), Gjakova (3,308) dhe Dragashi (3,066). Ndërkaq, Gjermania me 21,500 dhe Zvicra me 11,024 udhëheqin listën e shteteve nga ku janë regjistruar më shumë votues.
KQZ ka paralajmëruar se udhëzimet për procedurat e votimit me postë do të publikohen së shpejti, ndërsa procesi do të zhvillohet nga 17 shtatori deri më 11 tetor. Votuesit nga diaspora do të pranojnë dy fletëvotime – një për zgjedhjet për kryetar komune dhe një tjetër për kuvend komunal – të cilat më pas do t’i dërgojnë në kutitë postare të KQZ-së që do të hapen në shtete të ndryshme.
Po ashtu, KQZ ka sqaruar se të gjithë shtetasit e regjistruar për votim nga jashtë do të figurojnë vetëm në listën e votuesve jashtë Kosovës, sipas ligjit zgjedhor. Ndërkaq, ata që nuk janë regjistruar për votim me postë mbeten në listën e rregullt të votuesve brenda vendit.










