BE pezullon takimet me Qeverinë në detyrë të Kosovës
Bashkimi Evropian ka njoftuar se do të pezullojë përkohësisht takimet me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe kabinetin e tij brenda ndërtesës së Qeverisë, deri në formimin e një qeverie me mandat të plotë.
Në një letër të datës 8 gusht 2025, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, theksoi se vendimi lidhet me aktgjykimin e Gjykatës Supreme që shpalli të pavlefshëm një udhëzim administrativ, duke rikujtuar ndalimin kushtetues të ushtrimit të dyfishtë të funksioneve ministrore e parlamentare.
Orav tha se ky hap synon shmangien e pasigurive, por theksoi se BE-ja mbetet e përkushtuar ndaj Kosovës dhe bashkëpunimi do të vazhdojë në fusha kyçe, deri në formimin e qeverisë së re.
Letra është shpërndarë edhe te zëvendëskryeministrat dhe ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së në Kosovë.











