#Lajme

Basha: Kam hulumtuar vetëm për islamin fundamentalist, asnjë shkronjë kundër UÇK-së

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka mohuar pretendimet se ka pasur ndonjë përfshirje apo qëndrim kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke theksuar se e vetmja fushë e tij akademike dhe profesionale ka qenë studimi i islamit fundamentalist.

Në një konferencë për media, Basha tha se akuzat ndaj tij janë shpifje të vazhdueshme:
“Unë kam hulumtuar vetëm për deportimin e islamit fundamentalist në Evropën Juglindore. Tema ime e masterit dhe çdo punim tjetër ka trajtuar vetëm këtë çështje, jo UÇK-në. Asnjë fjali, asnjë shkronjë nuk gjendet për këtë temë. Edhe profesorja ku kam studiuar e ka konfirmuar me një email demantues”, tha ai.

Ai sqaroi se nuk ka asnjë lidhje me raportin e Dick Martyt, duke kujtuar se në vitin 2010 ka botuar një shkrim në Telegrafi ku kërkonte kundërshtimin e atij raporti.
“Unë e kam të shenjtë luftën e UÇK-së dhe i përulem secilit që ka kontribuar për lirinë e vendit. Kurrë në jetën time nuk kam shkruar apo deklaruar diçka kundër saj”, u shpreh Basha.

Duke folur për sulmet mediatike ndaj tij, ai tha se prej gjashtë vitesh është përballur me shpifje e ofendime nga disa portale dhe gazetarë, të cilët sipas tij përdorin burime nga Beogradi. Ai shtoi se të njëjtët qarqe kanë përdorur propagandë edhe ndaj Donika Gërvallës, presidentit Ibrahim Rugova dhe kryeministrit Albin Kurti.