Fillon ekzekutimi i pagesave për tekstet shkollore – 120 mijë aplikues marrin mjetet e para
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se sot kanë nisur pagesat për prindërit që kanë aplikuar për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore përmes platformës e-Kosova.
Sipas saj, deri më tani janë ekzekutuar pagesa në vlerë prej 9.634.000 euro për gjithsej 120.425 aplikues. Nga 15 gushti, kur u hap aplikimi, janë pranuar 183.226 aplikime, të cilat aktualisht janë duke u verifikuar nga koordinatorët e shkollave dhe drejtoritë komunale të arsimit.
Nagavci theksoi se aplikimi mbetet i hapur, për të siguruar që asnjë nxënës të mos mbetet pa tekste shkollore. Ajo u bëri thirrje prindërve dhe kujdestarëve që ende nuk kanë aplikuar, të shfrytëzojnë këtë mundësi.
Në rast të vështirësive teknike gjatë aplikimit, MASHT ka vënë në dispozicion kontaktet telefonike dhe adresën elektronike libri@rks-gov.net, duke garantuar trajtim me prioritet të çdo rasti.











