Durmishi pas dorëheqjes së Liburn Aliut: Vendim personal i tij
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dhënë dorëheqje nga posti i tij në Qeverinë e Kosovës, gjë të cilën e ka konfirmuar vetë përmes dorëzimit të letrës së dorëheqjes.
Pas këtij veprimi, zëvendësministri në detyrë, Hysen Durmishi, ka deklaruar se vendimi i Aliut është personal dhe se ai nuk ka informacion mbi arsyet konkrete.
“Nuk kam çfarë të them për këtë çështje, është vendim personal i Liburnit,” tha Durmishi, duke theksuar se Aliu nuk është pjesë e Kryesisë së Vetëvendosjes dhe as deputet, pasi nuk kishte pranuar të ishte në listën zgjedhore të partisë.
I pyetur nëse ky fakt mund të ketë ndikuar në dorëheqje, Durmishi u shpreh se nuk ka pasur komunikim me Aliun dhe informacionet i ka marrë vetëm nga mediat.
Dorëheqja e Aliut erdhi një ditë pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës.











