#Lajme

Rashiq: Nuk ka shkelje kushtetuese, nesër do të rikandidoj për nënkryetar të Kuvendit

Ministri dhe deputeti Nenad Rashiq ka reaguar pas mosmbështetjes së kandidaturës së tij për postin e nënkryetarit të Kuvendit, duke deklaruar se votimi i tij nuk ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën.

Në një intervistë për Tëvë1, Rashiq u shpreh i kënaqur që Kuvendi ka arritur të zgjedhë kryetarin, duke e konsideruar këtë një hap përpara pas bllokadës së gjatë institucionale. Ai theksoi se ishte kandidati i vetëm jashtë Listës Serbe dhe se u vetëpropozua për postin e nënkryetarit, për shkak të mungesës së mbështetjes nga të tjerët.

Rashiq kritikoi përfaqësuesit aktualë të komunitetit serb në Kuvend, duke thënë se ata nuk e përfaqësojnë siç duhet popullin serb në Kosovë.

Lidhur me pretendimet e disa deputetëve të opozitës se kandidatura e tij ishte antikushtetuese, ai tha se kishte kërkuar mendim nga ekspertë kushtetues, të cilët i konfirmuan se nuk ka shkelje ligjore në rastin e tij.

“Po, sipas rregullave, unë edhe nesër do ta kandidoj veten. Kemi të drejtë të kandidohemi deri në tre herë, dhe nëse nuk kalojmë për tre herë, atëherë nuk kemi më të drejtë kandidimi,” tha Rashiq.

Ai shtoi se ishte i befasuar nga mungesa e përkrahjes së opozitës, duke kujtuar bashkëpunimet e tij të mëhershme me PDK-në, AAK-në, LDK-në dhe Nismën.