Kina refuzon kërkesën e Trumpit për bisedime mbi denuklearizimin: “E paarsyeshme dhe jorealiste”
Pekini zyrtar deklaroi të mërkurën se është “e paarsyeshme dhe jorealiste” kërkesa që Kina të përfshihet në negociatat për çarmatimin bërthamor me SHBA-në dhe Rusinë.
Guo Jiakun, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, reagoi pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se kishte biseduar me homologun rus, Vladimir Putin, për kontrollin e armëve bërthamore dhe dëshironte që edhe Kina të merrte pjesë.
Sipas Guos, forcat bërthamore të Kinës dhe SHBA-së nuk janë në të njëjtin nivel, ndërsa politikat e sigurisë dhe ato bërthamore janë krejtësisht të ndryshme. Ai theksoi se Kina ndjek politikën e mos përdorimit të parë të armëve bërthamore dhe një strategji të vetëmbrojtjes, duke shtuar se vendi nuk synon të përfshihet në një garë armatimesh.
“Vendet me arsenalet më të mëdha bërthamore duhet të marrin përsipër përgjegjësinë kryesore për çarmatimin bërthamor”, theksoi zëdhënësi.
Nga ana tjetër, Trump u shpreh se denuklearizimi është një objektiv madhor, duke shtuar se Rusia është e gatshme dhe sipas tij, edhe Kina do të ishte e gatshme të merrte pjesë: “Duhet t’i ndalojmë armët bërthamore. Fuqia është shumë e madhe.”
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Malajzisë njoftoi muajin e kaluar se Kina do të nënshkruajë një traktat të Azisë Juglindore për ndalimin e armëve bërthamore në rajon, sapo të përfundojë dokumentacioni.











