Fatale: Aksident trafiku në Drenas, 49-vjeçari humb jetën
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pas mesnate në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, në fshatin Korroticë të Drenasit, ku ka humbur jetën një person.
Rreth orës 02:00 të datës 27 gusht, një veturë e tipit Toyota Corolla ka humbur kontrollin gjatë lëvizjes dhe është rrokullisur në shiritin e majtë të rrugës.
Si pasojë, shoferi A.B., 49-vjeçar, ka pësuar lëndime të rënda. Ai fillimisht është dërguar me autoambulancë në QMF të Komoranit, por mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij në orën 03:10.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit dhe prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion. Hetimet për shkaqet e aksidentit po vazhdojnë.











