#Lajme

Arrestohet 31-vjeçari në Fushë Kosovë, dyshohet për dhunim, armëmbajtje pa leje dhe narkotikë

Policia e Kosovës ka arrestuar një 31-vjeçar në Fushë Kosovë, i cili dyshohet për kryerjen e disa veprave të rënda penale.

Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë, i dyshuari L.H. akuzohet për ushtrimin e dhunës fizike dhe psikologjike ndaj të dashurës së tij, ndërsa nuk përjashtohen dyshimet për kryerjen e veprës penale të dhunimit.

Gjatë operacionit të arrestimit, tek ai janë gjetur dhe sekuestruar substanca narkotike të dyshuara si kokainë, një armë zjarri me municion dhe mjete të tjera të kundërligjshme.

Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë dhe ndaj tij janë iniciuar hetime për:

Dhunim Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve Posedim i paautorizuar i substancave narkotike

Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e qytetarëve dhe ndjekjen e çdo akti të kundërligjshëm, duke ftuar qytetarët të raportojnë rastet e dhunës apo veprimtarive ilegale në numrin 192 ose përmes platformës “Lajmëro Policinë”.