#Lajme

Jasharaj: Viti i ri shkollor nis me kohë, por sfidat mbesin – kërkojmë rritje pagash dhe kontratë kolektive

Vetëm pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor 2025–2026, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka paralajmëruar se mësimi do të fillojë me kohë, por problemet e njëjta me arsimin në Kosovë po vazhdojnë të përsëriten.

Jasharaj theksoi se mungesa e kontratës kolektive dhe vonesat me tekstet shkollore mbeten ndër sfidat kryesore. Ai kritikoi ish-ministren Arbërie Nagavci, duke thënë se është përsëritur i njëjti gabim me furnizimin e librave, ashtu si në dy vitet e fundit kur nxënësit humbën më shumë se një muaj mësim.

“Shpërndarja e të hollave për tekstet shkollore është vonuar. Mësimdhënësit do të jenë në vështirësi sepse nuk mund ta fillojnë mësimin si duhet derisa të gjithë nxënësit të kenë libra”, deklaroi Jasharaj.

Ai bëri të ditur se sapo të krijohen institucionet e reja shtetërore, SBASHK-u do të kërkojë rifillimin e dialogut për kontratën kolektive, duke theksuar se mësimdhënësit në Kosovë mbeten me paga më të ulëta krahasuar me kolegët e tyre në Shqipëri dhe vendet e tjera të rajonit.

“Do të kërkojmë rritje të koeficientit të pagave dhe kushte më të mira pune. Po flitet për shkollën e shekullit 21, por realiteti është se vitin e ri shkollor do ta fillojmë me drojën e vonesave të teksteve dhe me mjete pune si shkumsa e shpuzë”, u shpreh ai.