#Lajme

Avdyli: PDK s’mund të caktojë emrat për kryeparlamentar, opozita po del adhurues sekret i Kurtit

Deputeti i partisë Guxo, Haxhi Avdyli, ka deklaruar para fillimit të seancës së sotme për konstituimin e Kuvendit se posti i kryeparlamentarit duhet t’i takojë një figure politike me përkrahje të madhe qytetare, duke kundërshtuar kërkesat e PDK-së.

“Nuk është dëshirë e PDK-së të na caktojë neve një deputet me 10 mijë vota, ndërkohë që dikush me 120 mijë vota nuk bën. Kryeparlamentar duhet të jetë një person me legjitimitet dhe përkrahje qytetare. Ne i ftojmë për dialog, por nuk mund të biem pre e kërkesave të tyre”, tha Avdyli.

Ai theksoi se prioritet mbetet konstituimi i Kuvendit, ndërsa Qeverinë duhet ta formojë kushdo që arrin të sigurojë shumicën parlamentare.

Duke komentuar qëndrimin e opozitës, Avdyli u shpreh se ajo, me veprimet e saj, po tregon se është “adhuruese sekrete” e Albin Kurtit. “Me këtë qasje, opozita nuk e ka ndërmend ta rrëzojë Kurtin as në vitin 2026”, theksoi ai.