Osmani në Forumin Alpbach: Kosova kontribuon për paqe e siguri, të rinjtë janë udhëheqësit e ardhshëm të Evropës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në Forumin Evropian Alpbach që po mbahet në Austri, ku është takuar me të rinj nga vende të ndryshme të Evropës dhe botës. Ajo e ka cilësuar këtë përvojë si “gjithnjë frymëzuese”, duke vlerësuar energjinë dhe vizionin e gjeneratës së re që, sipas saj, do të udhëheqë Evropën në të ardhmen.
Në diskutimet e zhvilluara, Osmani ka theksuar rolin e Kosovës si kontribuuese aktive për paqe dhe siguri, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik dhe mbrojtjes së vlerave demokratike.
“Duhet të veprojmë, jo vetëm të deklarojmë. Kjo nënkupton guximin për të qëndruar pranë atyre që i mbrojnë këto vlera dhe për t’i hapur dyert Kosovës dhe shteteve që punojnë me përkushtim për to”, ka deklaruar presidentja.
Forumi Evropian Alpbach mbledh liderë politikë, intelektualë, aktivistë dhe të rinj nga mbarë bota për të diskutuar sfida dhe perspektiva që lidhen me të ardhmen e Evropës dhe botës.











